Drejtimi “Shërbim Mjetesh Transporti” i jep mundësinë nxënësve të marrin njohuritë bazë, aftësitë dhe trajnimet që i lejojnë të punësohen më tej në pozicione ndihmëse apo si Teknik Auto. Në lëndët profesionale dhe sidomos në praktikat profesionale, nxënësit mësojnë rreth organizmit të vendit të punës, përzgjedhjes, mirëmbajtjes dhe përdorimit të mjeteve të punës, proçeset e punës që lidhen me karrocerinë, sistemin e ushqimit, sistemin e transmetimit, sistemin e drejtimit e frenimit, etj. Përveç pjesës teknike, nxënësit mësojnë rreth etikës profesionale, komunikimit me klientin si dhe drejtimin e një dyqani apo biznesi të vogël që lidhet me shërbimin e mjeteve të transportit.
Duhet patur parasysh që punëdhënësit në drejtimin “Shërbim Mjetesh Transporti” priren të marrin fillimisht punonjës pa pagesë, në formë praktike. Praktikat mësimore që zhvillojnë nxënësit e shkollës tonë në mjediset e bizneseve, u japin mundësinë nxënësve jo vetëm të aftësohen, por të jenë të gatshëm për të filluar si punonjës me pagesë të rregullt menjëherë pas diplomimit
Përfundimi me sukses i nivelit të parë (klasës së 11-të) në drejtimin “ “Shërbim Mjetesh Transporti”, e pajis nxënësin me certifikatën e punonjësit gjysmë të kualifikuar, “Ndihmës/e”.
Pas nivelit të parë, nxënësi mund të vazhdojë studimet në nivelin e dytë (klasa e 12-të) në një nga profilet e këtij drejtimi, ku pajiset me certifikatën “punonjës/e i/e kualifikuar”.
Nxënësi mund të vazhdojë studimet në nivelin e tretë (klasa e 13-të), ku pajiset me diplomën e maturës shtetërore profesionale si dhe me certifikatën e titullit “teknik/e”
Auto mekaniku punon në pjesët mekanike të mjeteve motorike, duke përfshirë motorrët, sistemet e transmetimit e të suspansionit . Ata mund të specializohen në profilet e ndryshme si motorrist, elektroauto, xhenerik apo shërbime karrocerie. Përveç mirëmbajtjes, riparimit bashkimit e rivendosjes së pjesëve, auto mekanikët gjithashtu flasin me pronarët e automjetieve për problemet që mund të kenë me mjetin. Detyrat e zakonshme mund të përfshijnë testimin dhe riparimin e sistemeve të ndriçimit elektrik, zëvendësimin e pjesëve të dëmtuara në motor ose inspektimin e automjeteve për t’i bërë ato të sigurta për rrugën.
Profilet e drejtimit Shërbime mjetesh transporti:
- Shërbime motorrike
- Shërbime Xhenerike
- Shërbime elektroauto